Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj miliarderit dhe ish-Kryeministrit të Gjeorgjisë, Bidzina Ivanishvili, duke e akuzuar për minimin e demokracisë dhe lidhje me politikën pro-ruse. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se Ivanishvili kishte realizuar veprime që dëmtojnë institucionet demokratike dhe përpiqen të favorizojnë interesat e Federatës Ruse.
Sanksionet, që përfshijnë ngrirjen e pasurive të tij në SHBA, vijnë pas një periudhe tensionesh mes Gjeorgjisë dhe Perëndimit, ku vendi është përfshirë në një drejtim autoritar dhe ka ndërprerë bisedimet për anëtarësim në BE. Tensionet janë shoqëruar edhe me protesta dhe shtypjen e opozitës nga partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, e udhëhequr nga Ivanishvili.