Kur kanë mbetur vetëm pak muaj deri në zgjedhjet e 11 majit, partitë e reja po përgatiten për garën. Enkelejd Alibeaj, nga Partia “Djathtas 1912”, tha se mund të bashkëpunojë me PD-në, por përjashton çdo marrëdhënie me ata që sulmojnë SPAK-un dhe kanë probleme me aleatët e tij. Alibeaj theksoi se janë të hapur për koalicion, por vetëm me ata që mbështesin drejtësinë.
“Ne përjashtojmë bashkëpunimin me maxhorancën. Jemi të hapur të bashkëpunojmë me PD, por jo me elementë, që kanë probleme me aleatët tanë dhe që sulmojnë drejtësinë”- tha deputeti Alibeaj
Nga ana tjetër, Agron Shehaj, lider i Partisë Mundësia, ka mbyllur çdo mundësi për koalicione dhe ka deklaruar se do të garojnë të vetëm në zgjedhje. “Ne nuk bëjmë aleancë me asnjë forcë politike, do hyjmë vetë në zgjedhje,” tha Shehaj. Të dy liderët kanë pozita të ndryshme përsa i përket bashkëpunimeve, dhe kjo ndan edhe strategjitë e tyre për zgjedhjet e ardhshme.