Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të Lëvizjes së Gruas për Integrim. Blushi u shpreh se gratë janë të diskriminuara në tregun e punës dhe kanë rroga më të ulëta.
Sipas tij qeveria po i përdor gratë për show dhe ata nuk kanë guxim që të ngrenë zërin dhe të bëhen avokate të vajzave dhe grave në mbarë Shqipërinë.
“Për fat të keq, Rama ka kthyer gratë në figura të korruptuara. Këtu kemi Ballukun, Manastirliun, Xhaçka, interesat e së cilës prevaluan mbi interesat e vendit. Partia e Lirisë ka prioritet familjen. Ata kanë si program shkatërrimin e familjes dhe përjashtimin social të grave dhe vajzave.
Ndërsa, ne kemi program fuqizimin e grave dhe vajzave. Ne kemi modele suksese gra si Silva Cako, Erisa Xhiuxho, kemi Brunilda Haxhiun, kemi Kejdi Mehmetajn, kemi gra e vajza anëtarë të Kryesisë, kemi Elda Ballabanin, kemi ekonomisten Mirvete Asqeriun, kemi kryetaren e Kuçovës, pa harruar Fatjona Selimajn në Fushë Arrëz. Fuqia e Partisë së Lirisë janë gratë.”, tha Blushi.