Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) u shpreh sot se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikim të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet e 9 shkurtit, është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi tha se vendimet PZAP-së janë të obligueshme për institucionin që drejton, dhe që këtë çështje e konsideron të mbyllur.
“Vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm, ndërsa sipas nenit 118, vendimet e PZAP-së janë të obligueshme për KQZ-në”, ka thënë ai. Të pranishmit nuk është dashur të votojnë lidhur me këtë vendim.
Lista Serbe është ankuar në PZAP, pasi në mbledhjen e 23 dhjetorit të KQZ-së, ky institucion nuk e ka certifikuar këtë subjekt politik, pas kundërshtimeve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës.