Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka thënë më 1 janar se dhënia e fund e furnizimeve me gaz rus në Evropë, përmes një gazsjellësi që kalon në tokën ukrainase, përbën humbje për presidentin rus, Vladimir Putin.
Me anë të një postimi në X, Zelensky thotë se “Kur Putin është bërë president i Rusisë më shumë se 25 vjet më parë, sasia e gazit natyror që ka kaluar përmes Ukrainës në Evropë, ka qenë më shumë se 130 miliardë metra kub në vit. Tani është zero.Kjo është një prej humbjeve më të mëdha të Moskës. Si rezultat i shfrytëzimit të energjisë si armë, nga ana e Rusisë, dhe shantazhimit të partnerëve, Moska e ka humbur një prej tregjeve më profitabile dhe të qasshme gjeografikisht”.
Zelensky ka thënë se shumica e shteteve evropiane u janë përshtatur ndryshimeve, por ka përmendur që Ukraina dhe aleatët duhet ta mbështesin Moldavinë në periudhën e transformimit energjetik.
“Sa më shumë gaz i qasshëm në tregje për partnerët e vërtetë të Evropës, aq më shpejt do të eliminohet varësia ndaj Rusisë”, ka thënë ai.