Sot nisi pagesa për kalimin në aksin Thumanë-Kashar. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se Edi Rama ka vendosur taksa raciste ndaj një pjese të vendit.
“Çështjet që desha të sjell para jush dhe shqiptarëve janë së pari, vendosja e taksës raciste, diskriminuese për 20 kilometra rrugë, Ura e Limuthit-Thumanë.
Kjo taksë, e cila është një nga më të shtrenjtat në Europë dhe botë, po të kemi parasysh segmentin 20 kilometra, është një taksë jashtëzakonisht problematike, pasi është taksë kundrejt banorëve më të varfër të Shqipërisë dhe më të varfër të Europës.
Duhet të sqaroj këtu se të ardhurat për frymë të qarqeve të veriut janë rreth dy herë më të ulëta se të ardhurat për frymë të qarqeve të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.
Vendosja e një takse prej 4.2 euro vajtje-ardhje për 20 kilometra rrugë të ndërtuara është akt urrejtje kombëtare, është diskriminim antikushtetues pasi taksa e tillë e ngjashme nuk ekziston në autostradat e tjera të kategorisë A që shtrihen nga Vlora në Fier, nga Elbasani në Tiranë, etj. Pra, pretendimi se është kategori A, është një mashtrim i turpshëm i Lubi Ballukut dhe Edi Ramës sepse nuk ka asnjë lidhje.
Kategori A është rruga nga fillimi i bajpasit të Fierit gjer në Vlorë, nga Farka gjer në Elbasan dhe nuk ka asnjë taksë për këta banorë që kanë pothuaj dyfishin e të ardhurave krahasuar me banorët e Kukësit, Tropojës, Hasit, Pukës dhe zonave të tjera” tha Berisha.
LIVE-Berisha: Masën ma vuri Rama, por do paraqitem në SPAK, në fund fitoj si Trump