Në SHBA, një stuhi masive dëbore ka goditur pjesën më të madhe të shtetit, duke shkaktuar kushte ekstreme moti, me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta, që nuk janë parë në dekadën e fundit. Mbi 60 milionë qytetarë janë ekspozuar ndaj këtij fenomeni të motit, ndërsa shtatë shtete kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme: Kansas, Missouri, Kentucky, Virxhinia, Virxhinia Perëndimore, Arkansas dhe disa zona të Nju Xhersit.
Si pasojë e kushteve të këqija, mijëra fluturime janë anuluar ose vonuar, ndërsa shumë rrugë janë të bllokuara dhe shkollat janë mbyllur. Reshjet e dëborës dhe temperaturat nën zero kanë prekur edhe kryeqytetin Uashington dhe rrethinat e tij, ku pritet të bie deri në 30 cm dëborë.
Në disa shtete, si Virxhinia, guvernatorët shpallën gjendjen e jashtëzakonshme për të përballuar pasojat e stuhisë, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet gjatë fundjavës.