Pas 14 javësh stërvitje intensive, 24 efektivë përfunduan Kursin e 20-të Bazë “Komando”, mes të cilëve 8 nga Kosova dhe dy vajza për herë të parë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë ceremonisë së shpërndarjes së beretave, theksoi rëndësinë e këtij kursi për forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai u shpreh optimist për të ardhmen e dy vendeve në NATO, duke theksuar se ky kurs përforcon sigurinë në Ballkan.
Kursantët demonstruan aftësitë e tyre në goditje objekti, infiltrim dhe luftim trup me trup.
“Shpërndarja simbolike e beretave për kursantët sot nuk është fundi i misionit për ne, por fillimi i një kapitulli tjetër për të çuar përpara dhe zhvilluar edhe më shumë misione të tilla kaq të rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë, Kosovës e si pasojë gjithë Ballkanit. Kjo ceremoni forcon jo vetëm marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit në fushën e arsimit ushtarak, por rrit edhe nivelin e shkëmbimit të eksperiencave me Kosovën, të cilën kemi dyfish përgjegjësi për ta ndihmuar e mbështetur në rrugën e anëtarësimit drejt strukturës më të madhe të sigurisë që ka njohur njerëzimi, Aleancës së NATO”, – theksoi ministri Vengu.