Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka në një komunikim me gazetarët ka deklaruar se nuk do të kandidojë më për deputetë.
Duka u shpreh se ky vendim nuk do të ndikojë negativisht në forcën politike që drejton. Ai ka theksuar se me këtë vendim do ti hapë rrugë brezit të ri që të kandidojnë për deputet.
“Ta them përfundimisht që mos më pyesin më. Unë nuk do të kandidoj më për parlament. Shumë njerëz më thonë që ky vendim i joti mund të ndikojë negativisht në PAA. Unë nuk mendoj kështu. Gjatë gjithë kohës është diskutuar pse kryetarët e partive nuk i hapin rrugë të rinjve. Unë këtë po mundohem të bëj. Nëse kjo tezë bie poshtë me këto zgjedhje, do të thotë që meqë unë u largova këta që ofrohen nuk grumbullojnë vota, ky eksperiment dështon dhe i themi kryetarëve të partive, rrini aty derisa të vdisni se ndryshe nuk ju voton njeri. Unë besoj se këta që vijnë janë më të rinj se mua, kanë energji më shumë. Unë do të jap kontributin tim maksimal në çdo qark ku ne do të kemi kandidat për deputet”, tha Duka.