Mëngjesin e sotëm është paraqitur në SPAK, Argita Malltezi. Nuk pranoi që të tregonte arsyen dhe në çfarë cilësie duke thënë vetëm që “do të flas pasi të dal nga prokuroria”. Por mësohet se Malltezi është paraqitur në SPAK pasi prokuroria e ka thirrur për ta pyetur për një denoncim që ka bërë kundër saj gjyqtarja Irena Gjoka.
Por për çfarë e paditi Gjoka Malltezin?
Gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka ka depozituar kallëzim penal në SPAK ndaj vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi. Ajo pretendon se për shkak të masave të sigurisë për Berishën dhe Jamarbër Malltezin, po sulmohet nga familjarët e ish-kryeministrit.
Kallëzimi i Gjokës, konsiston dhe mbështetet në disa deklarata publike të bërë nga vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, e cila gjatë një konference për shtyp akuzonte gjyqtaren se kishte marrë 500 mijë euro nga një eksponent i PS-së dhe për këtë episod sipas saj ekziston dhe një video.