Argita Malltezi mëngjesin e sotëm ishte në SPAK, pas kallëzimit të gjyqtares Irena Gjoka, e cila e denoncoi për një deklaratë të vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha e cila në tetor të vitit të kaluar ngriti dyshimet dhe pyetjen drejtuar SPAK-ut nëse ka një video ku magjistratja ka marrë 500 mijë euro nga një ish-eksponent i PS-së. Në dalje, Malltezi tha për mediat se kjo është tentativë për të larë fytyrën e Gjokës.
“500 mijë euro ryshfet”! Përse e çoi Irena Gjoka në SPAK Argita Malltezin?
“Unë dhe Jamarbër Malltezi kemi bërë 3-4 denoncime për falsifikim të akteve zyrtare, por këta nuk e kanë vendosur nisjen e procedimit, por mbylljen e tyre. Tani unë pyeta, a ekziston një video e tillë, a e disponon SPAK-u të tillë nga kontrollet në shtëpinë e një gazetari që është larguar nga Shqipëria.
Unë kam thënë se SPAK të na thotë a ekziston? SPAK të dalë dhe të thotë, por tentativa për të larë fytyrën e Irena Gjokës me skemat e procedurave të Salianjit është e dështuar. Unë i jam referuar në atë pyetje shkrimeve mediatike, që janë burime të hapura, SPAK ka për detyrë të hetojë. Për veprat e tjera të Irena Gjokës unë kam bërë kallëzim penal.
Edhe Jamarbër Malltezi. Emrin e gazetarit nuk e kam përmendur asnjëherë, prandaj ishte pyetje dhe jo konstatim. Mendoj se ka qenë një pyetje që nuk cenonte hetimin nëse SPAK jepte një përgjigje. U thirra si person që mund të ketë dijeni” tha ajo.