Policia e Sarandës ka arrestuar një 61-vjeçar shitës ambulant Bujar Çupi, i cili shiste në një bordurë celularë dhe ora dore. Pas arrestimit të tij policia doli në një komunikim për shtyp dhe deklaroi se ka sekuestruar 13 celularë, rreth 350 aksesorë celularësh dhe ora dore.
Ndaj tij u ngritën akuzat “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja e mallrave kontrabandë”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.
Ky arrestim solli reagimin e shumë qytetarëve dhe ditën e sotme gjykata e Sarandës ka dalë në një deklartë për shytp pas seancës për caktimin e masës së sigurisë.
Në deklaratë, prokuroria ka kërkuar ndaj tij vlerësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Gjyqtari Mikel Hysometaj, pasi dëgjoi dhe pretendimet e palës mbrojtëse, vendosi vleftësimin si të paligjshëm të arrestimit në flagrancë të Bujar Çupit, rrëzimin e kërkesës për caktim mase sigurimi si dhe lirimin e menjëhershëm të tij nga salla e gjyqit.