Ambasadori italian, Fabricio Bucci në prag të largimit nga Shqipëria kishte disa mesazhe për politikën dhe situatën konfliktuale.
“Për fat të keq, situata politike në Shqipëri mbetet shumë konfliktuale. Zgjedhjet po afrojnë, dhe unë shpresoj që fushata të fokusohet në programe konkrete, sepse qytetarët duhet të kuptojnë se çfarë synojnë partitë politike të bëjnë për përmirësimin e jetës së tyre. Zgjedhësit duhet të gjykojnë mbi bazën e programeve.
Uroj që debati politik të fokusohet te këto çështje, pasi shqiptarët janë të interesuar të dinë se çfarë do të bëjë politika për ta. Ajo që është e rëndësishme është se Italia do të mbetet një partner themelor i Shqipërisë.
Raporti ynë është kaq special që do të ngelet në vite. Ne do ta mbështesim gjithmonë Shqipërinë pavarësisht nga qeveritë. Ka shumë objektiva të rëndësishme. Hyrja në BE. Kjo është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët” tha ai.