Bashkimi Evropian ka deklaruar se është duke ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, që lidhen me veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka deklaruar për Telegrafin se statusi i këtyre institucioneve që mbështeten nga Serbia është paraparë të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.
“Bashkimi Evropian po ndjek nga afër veprimet më të fundit kundër strukturave të mbështetura nga Serbia në veri të Kosovës, të cilat po ndërmerren para zgjedhjeve të përgjithshme”.
“Statusi i këtyre strukturave të mbështetura nga Serbia është parashikuar të zgjidhet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Autoritetet e Kosovës nuk duhet të mbyllin asnjë nga institucionet e shëndetësisë dhe arsimit, apo struktura të tjera të mbështetura nga Serbia, që janë pjesë e Marrëveshjeve të Dialogut”, thuhet në deklaratë.
BE thotë se Kosova duhet të përmbahet nga veprime të tilla dhe të respektojë angazhimin e saj ndaj Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Siç është theksuar në përfundimet e Këshillit të vitit 2024 për zgjerimin, BE-ja do të heqë gradualisht masat ndaj Kosovës, paralelisht me hapat e mëtejshëm nga Kosova për të ulur tensionet në veri”.
“Këshilli gjithashtu ka nënvizuar në përfundimet e tij se Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokative që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të shmangin retorikën përçarëse”, vijon deklarata e BE-së.