Ditën e sotme reshjet e dëborës kanë krijuar vështirësi në qarkullim në Kosovë. Policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetraët të kenë kujdes gjatë drejtimit të makinës dhe ngadalësim në lëvizje në rrugët e mbuluara me dëborë dhe me ngrica.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në apelin e policisë.
Ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama njoftoi se janë shtuar kapacitetet për të pastruar rrugët.
“Lusim qytetarët të kenë mirëkuptim dhe kujdes gjatë lëvizjes, ndërsa ekipet tona vijojnë të jenë të angazhuara për t’i shërbyer qytetarëve”, tha Rama.
Ndërsa zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi njoftoi se të gjitha rrugët janë të kalueshme.