Dhjetëra mijëra rumunë protestuan të dielën në kryeqytetin Bukuresht kundër vendimit të muajit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e zgjedhjeve presidenciale, pasi një kandidat i panjohur fitoi raundin e parë.
Demonstruesit u ranë burive të makinave, valëvitën flamurin kombëtar dhe mbajtën pankarta ku shkruhej, “Duam zgjedhje të lira” dhe bënë thirrje për demokraci. Shumë nga protestuesit kërkojnë vazhdimin e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Protesta vjen një muaj pasi Gjykata Kushtetuese mori vendimin e pashembullt për të anuluar zgjedhjet vetëm dy ditë përpara balotazhit të 8 dhjetorit.
Avantazhi i politikanit populist, Calin Georgescu, i ekstremit të djathtë, tronditi shumë njerëz pas votimeve në raundin e parë më 24 nëntor. Më pas u ngritën akuza për shkelje zgjedhore dhe ndërhyrje të Rusisë.
George Simion, udhëheqës i ekstremit të djathtë “Aleanca për Bashkimin e Rumunëve”, tha gjatë protestës të dielën se: “Po protestojmë kundër grushtit të shtetit që ndodhi më 6 dhjetor”.