Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mori pjesë në takimin “Një kafe me miqtë” në Akademinë e Sigurisë, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për luftën kundër krimit dhe zhvillimin e strukturave të Policisë.
Ai vlerësoi përpjekjet për arsimimin dhe specializimin e forcave të rendit. Rektori i Akademisë, Ilirjan Mandro, nënvizoi përparimet e vitit 2024 dhe qëllimet për 2025 në trajnimin e punonjësve të Policisë dhe forcave të tjera ligjzbatuese.
Proda: “Në luftën kundër së keqes, gjithsecili ka pjesën e tij, por kurrsesi kjo luftë nuk mund të bëhet vetëm. Bashkëpunimi është shtylla ku duhet të mbështetemi, është domosdoshmëri të punojmë bashkë, jo vetëm për të goditur krimin, por edhe për të përgatitur brezat që do ta thellojnë më tej këtë luftë. Ndihma dhe bashkëpunimi, si në fushën e arsimit ashtu edhe në luftën kundër krimit, janë të prekshme. Ju ndihmoni dhe asistoni Policinë e Shtetit në fushën e arsimimit, hartimit të kurrikulave, zhvillimit të trajnimeve si dhe në njohjen e saj në vendet tuaja. Vlerësimet për arsimimin policor dhe për perfeksionimin e saj janë dhe do të jenë një investim afatgjatë e konkret. Ju falënderojmë për asistencën e dhënë dhe për akreditimin ndërkombëtar, certifikimin e programeve, kurrikulave dhe moduleve në kolegjin profesional të formimit policor.”
Mandro: “Ju falënderoj shumë për gjithë mbështetjen dhe suportin. Për 2025 do të themi ato që mund të bëjmë dhe do t’i bëjmë ato që themi bashkërisht.”