Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të opozitës, që e cilësojnë si dhunues, homoseksual dhe kriminel. Ai ka theksuar se akuzat për një dokument gjyqësor të fabrikuar dhe për pretendime të pabaza lidhur me divorcin e tij janë të pavërteta.
Rama ka sqaruar se divorci i tij ka qenë paqësor dhe ka hedhur poshtë akuza të tjera të pabaza lidhur me jetën e tij private. Ai gjithashtu ka theksuar se preferenca e tij seksuale është heteroseksuale dhe nuk ka pasur kurrë kuriozitet për të pyetur përzgjedhjen e Zotit për këtë çështje.
“Më kanë bërë përdhosës të familjes time, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit, unë kam akuzuar gruan time se djalin tim e kishte me babain tim.
Jo, divorci im, qysh në fillim të viteve ‘90 s’ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë pretendim të ndërsjellë. Përkundrazi, ka qenë tërësisht paqësor.
Ndërsa po, siç është provuar më pas, katrani i madh ka fabrikuar një dokument gjyqi dhe e ka publikuar asokohe, për ta mbështetur me një provë të rreme atë akuzë, që qoftë edhe thjesht për ta imagjinuar, duhet të jesh egërsirë, jo njeri; lëre pastaj të jesh udhëheqës i popullit.
Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë.
Po jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual dhe nuk kam pasur kurrë kuriozitet ta pyes si e bën Ai përzgjedhjen për prirjen seksuale të njerëzve”, tha Rama.