Kushti i vetëm i Shteteve të Bashkuara për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) është që të mos ketë rrjedhë të parasë drejt Rusisë, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Zyrtari amerikan tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Moska ta udhëheqë NIS-in.
“E vetmja mënyrë që rreziku të jetë zero, është që pjesa e pronësisë ruse të jetë zero. Ky është qëndrimi me të cilin hyjmë në këtë bisedë.
Ne tashmë e kemi bërë këtë gjë me kompani të tjera ruse në vende të tjera si, Holandë, Zvicër dhe Turqi”, tha O’Brien të dielën për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), përcjell Evropa e Lirë.
Ai shtoi se SHBA-ja do të ndjekë rrugën drejt, siç tha, pronësinë konstruktive të NIS-it, nga e cila përfiton Serbia.
Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.
Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.