Katër të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt: Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, përmes deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori, kanë dhënë versionet e tyre për njohjen me njëri-tjetrin, planin për kryerjen e vrasjes, përfshirjen dhe veprimet e secilit, deri te premtimi për pagesën.
Dosja ndaj Naim Murselit: 30 mijë euro u premtuan për vrasjen e Liridonës
Naim Murseli si dëshmitar tha se u ‘grabitën’ dhe se e ndjera mbeti në makinë. Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Naim Murseli në deklaratën e dhënë në Polici më 29 nëntor 2023 në cilësinë e dëshmitarit, ka dhënë versionin e tij se si ka ndodhur ngjarja. Ai ka thënë se ishin grabitur dhe se ai me fëmijët kanë arritur të dalin nga makina, kurse e ndjera Liridona kishte mbetur në mjet.
Në deklaratën e dhënë në cilësinë e të dyshuarit më 1 dhjetor 2023, në prani të mbrojtësit të tij ka theksuar se pas 10 viteve martesë, kishin filluar problemet martesore, duke thënë se Liridona ka qenë xheloze dhe kontrolluese, e që ka pasur presion psikik nga ajo, sikurse janë telefonatat e shpeshta e kërkimi i dëshmive me foto se ku gjendet e me kë.
Naimi thuhet se deklaroi që nuk ishte më i lumtur, por që Liridona sipas tij nuk e pranonte ndarjen. Ai tha se një problem që kishte ndodhur mes tyre në mars 2023, vështirësoi akoma lidhjen. Pas kësaj tha se iu shtua presioni e që sipas tij ndikoi të mendonte edhe vetëvrasjen.
Sipas tij, në një bisedë me djalin e dajës së tij (Kushtrim Kokallën) ai i ka thënë se do t’ia zgjidhë këtë punë, e që fillimisht kishin menduar për inskenimin e një aksidenti, por që shoku i Kushtrimit (Granit Plava) kishte insistuar që veprën ta kryente me armë sipas mënyrës së tij.
“…Unë nuk kam dhënë ndonjë ide dhe nuk kam ndërmarrë asnjë veprim për ta realizuar këtë vrasje”, citohet të ketë deklaruar i akuzuari Murseli.
Në ditën e ngjarjes, thotë se ishte takuar me Granitin në Gjakovë, rrugës iu ishte dëmtuar goma, e kur ishin ndaluar për ta rregulluar, personi që i ndihmoi me gomën e ka pyetur Plavën se a është i interesuar për të blerë armë, e për të cilën ia kishte dhënë Naimi paratë prej 250 euro Granitit për ta blerë atë. Më pas, tha se ishte nisur në drejtim të Prishtinës bashkë me Granitin, e pasi i kishte thënë ta dërgonte në Kralan, kishin vazhduar rrugën ndaras për Prishtinë, ku sipas tij Plava e kishte ndjekur prapa me makinë tjetër deri afër shtëpisë e më pas i kishte thënë “unë tash e di çka bëj”.
Më pas, Naimi ka deklaruar se kishin shkuar për darkë me Liridonën dhe dy fëmijët, dhe se nuk e ka vërejtur se Plava kishte qenë në atë restorant, por që ai i kishte shkruar dhe dërguar një foto. Graniti kishte thënë se doli nga lokali, e kur përfunduan darkën Naimi thotë se vazhduan për në shtëpi, e në afërsi të shtëpisë Graniti u doli me armë e i maskuar.
“… Edhe pse isha në dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtet se Graniti do të merr veprime për vrasje, i shokuar kam ndaluar, unë i kam ngritur duart lartë dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çka të kërkon, dhe në një moment unë kam hapur derën time pastaj derën e fëmijëve duke i thënë bashkëshortes të largohet nga vetura dhe në momentin që jemi larguar disa metra kam dëgjuar një krisëm por pa e parë çfarë ndodhi”, citohet të ketë deklaruar Murseli.
Më tej, thuhet se deklaroi që kishte kërkuar ndihmë tek shtëpitë afër. Ai tha se pronari i marketit kishte njoftuar Policinë dhe se ai i kishte kërkuar të qëndronte aty me fëmijët derisa të arrinte Policia.
Murseli thotë se motivi i vrasjes ishte xhelozia dhe presioni i lartë
Sipas tij, shkoi në vendngjarje pasi arriti Policia, por që ishte në gjendje të rënduar emocionale, i shokuar e i frikësuar të tregojë të vërtetën për ngjarjen, duke e ditur të kaluarën kriminale të Plavës s’ka guxuar ta zbulojë identitetin e tij. Pas ngjarjes, thotë që nuk është parë e as dëgjuar me Plavën dhe se nuk i ka dhënë asnjë shpërblim.
“Në këto momente ndihem i lumtur që vrasësi është arrestuar dhe rasti po shkon drejt zbardhjes nga ana ime jam betuar të tregoj vetëm të vërteten dhe të mos fsheh asgjë dhe dëshiroj të jem bashkëpunues me organet shtetërore që rasti të zbardhet në tërësi”, citohet më tej se deklaroi Murseli.
Ai ka thënë se nuk ka besuar se do të ndodhë ky rast dhe se ishte shprehur i penduar. Ai tha se motivi ishte xhelozia e presioni i lartë, duke bërë që të dalë nga vetvetja.
Ndërsa tha se me Granit Plavën ishte njohur përmes Kushtrim Kokallës. Arma që e kishin blerë bashkë me Granitin, thotë se nuk e kishte ditur se do përdorej në këtë ngjarje dhe se nuk e njeh as personin që ua shiti armën. Murseli ka deklaruar se pas ngjarjes nuk ka kontaktuar dhe s’është takuar me Plavën, kurse me Kokallën ishte takuar dhe ai e ka pyetur si ndodhi rasti.
Më tej, thuhet se Murseli deklaroi se Kokallës i ka dhënë para herë pas herë, por lidhur me veprën jo. Natën e ngjarjes tha se kishte qëndruar në hotel, e të nesërmen kishte shkuar tek familja e Liridonës për të marrë fëmijët. Tha se bashkë me të ndjerën kishin një biznes i cili më nuk është aktiv. Po ashtu, i pyetur nëse kishin sigurim shëndetësor apo jetësor, ka thënë se kanë pasur por që nuk e di nëse është ende aktiv.
Theksohet se në deklaratën e dhënë në Prokurori më 24 janar 2024 dhe 1 shkurt 2024, ka thënë se deklaratat në Polici i ka dhënë nën presion, se ka qenë fizikisht i keqtrajtuar nga policia dhe se rastin e ka denoncuar në Inspektoratin Policor, por që këtë ankesë nuk e ka dorëzuar si provë kur iu kërkua nga Prokuroria. Gjithashtu, thuhet se deklaratat e tij të dhëna në Prokurori nuk janë në përputhje me provat e grumbulluara dhe nuk duhet t’iu besohet.
Më tej thuhet se në deklaratën e dhënë në Prokurori më 30 korrik 2024, Naim Murseli ka deklaruar se nuk ka ndonjë informacion të ri për rastin. Për efektivët e sigurimit jetësor në Suedi, ai kishte thënë se kishte lidhur kontratë me një kompani ai për vete dhe Liridona për vete. Për të ndjerën tha se nuk e dinte se në çfarë shume e ka pasur kontratën e lidhur dhe nuk e di se kush është përfituesi i saj.
Gjithnjë sipas deklaratës së Murselit, ai ka thënë se më 2022 kur kishte lidhur Liridona atë kontratë, raportet i kishin të mira. Një rast kur deshi të bënte shkurorëzim e kishte pranuar, sipas tij, me qëllim që Liridona t’i bënte letrat motrës, por që kur kishin paraqitur dokumentet, motra e saj ishte shkurorëzuar.
Më 18 tetor 2024, thuhet se pranoi edhe për një tentim shkurorëzimi në Suedi para rastit që e ka dëshmuar, me arsyetimin për t’iu mundësuar blerja e një shtëpie.
Granit Plava: Naim Murseli më tha se do vrisja një biznesmene serbe
Granit Plava në deklaratën e dhënë në Polici më 1 dhjetor 2023, ka deklaruar se një ditë para ngjarjes u takua me bashkëfshatarin e tij, Naim Murseli, ku ky i fundi i ka thënë se ka një rast nga i cili të dy mund të fitojnë para. Puna e tij, i ka thënë se do ishte ta vriste një biznesmene serbe dhe se pas vrasjes do t’i jepte 30 mijë euro. Më tej tha se kishte pranuar ta kryente vrasjen.
Ditën e ngjarjes, Plava tha se Murseli i shkoi në shtëpi me një makinë, duke i thënë se me të do ta kryente vrasjen, por që s’ka pranuar duke thënë se i duhej një makinë më e madhe. Bashkë me Naimin, tha se shkuan në Kralan dhe mori makinën nga një person. Më pas, tha se Naimi i dha armën e i tha ta ndjekë nga pas.
Pasi kishin ndarë rrugët dhe që Naimi i kishte treguar se me çfarë makine do vinte, thuhet se Plava deklaroi që kur erdhi ia bëri me drita. Gjatë gjithë kohës tha se kanë qenë në kontakt me WhatsApp dhe se i ndoqi pas në restorantin ku shkuan Naimi me të ndjerën dhe fëmijët. Kur deshën të largoheshin nga aty, tha se Naimi i shkroi “çohu” dhe i kishte treguar kur të niset.
Sipas tij, kur arritën afër vendit të ngjarjes, Naimi i shkroi “ti shko atje dil në pritë kurse unë po vonohem pak derisa të përgatitesh ti”. Më pas, tha se në vendngjarje i doli përpara makinës shkoi nga dritarja e pasagjerit dhe u ka thënë t’i dorëzojnë telefonat.
“Nxirrni telefonat dhe e kam dëgjuar atë vajzën duke thënë mos mos dhe aty e kam vërejt se është shqiptare dhe kam shtënë vetëm një herë dhe nuk kam dit se ku kamgjuajtur”, citohet se deklaroi Plava.
Pas kësaj, thuhet se Plava deklaroi që ka ikur nga vendi i ngjarjes, e që rrugës tentoi ta kontaktonte Naimin por ai nuk i është përgjigjur. Nga mediat, tha se të nesërmen e kuptoi se viktima ishte bashkëshortja e Murselit, lajm i cili thotë se e tronditi pasi sipas tij po ta dinte se është shqiptare nuk do ta vriste.
I akuzuari Granit Plava ka deklaruar po ashtu se në Polici ka qenë disa herë për raste të dhunës dhe sherreve gjatë kohës kur ishte në shkollë. Tha se Naim Murseli më parë nuk i kishte kërkuar të kryente punë tjera, e se me të njihej prej 10-15 vitesh.
Planin e vrasjes, Plava ka thënë se e ka bërë Murseli dhe se puna e tij ka qenë ta ndjekë atë, t’i dalë në pritë gjasme se ishte grabitje dhe ta vrasë vajzën që i ka thënë se ishte serbe dhe se 30 mijë euro do t’ia jepte të nesërmen.
“Këtë gjë e kam bërë për shkak se më janë nevojitur paratë për sëmundjen e djalit tim”, citohet se tha Plava.
Për motivin se pse Naimi donte ta kryente vrasjen, Plava citohet se deklaroi që ai nuk i ka thënë asgjë vetëm se viktima ka para. Tha se viktimës nuk i kishte marrë asgjë, por mbi tavanin e makinës mori një çantë të cilën e kishte lënë Naimi, e që nga ajo s’mori asgjë dhe e hodhi.
Sipas tij, nuk e ka ditur se sa persona ishin në makinë dhe se nuk ka dëgjuar britma të fëmijëve. Tha se me sa di askush tjetër nuk ka qenë në dijeni për rastin.
Kushtrim Kokallën, Plava ka thënë se e ka shok nga fëmijëria, dhe se me Naimin njihen ngaqë janë nga i njëjti fshat. Me Kokallën, ishte takuar një natë para vrasjes, por që thotë se ai nuk e ka ditur se do e kryente vrasjen.
Tani i akuzuari Plava ka deklaruar se ditën kur ka ndodhur ngjarja, Naimi ka shkuar tek shtëpia e tij i ka dhënë 100 apo 120 euro për ta paguar naftën.
“Ndjej keqardhje për rastin në fjalë. Po ta kisha ditur se kjo është shqiptare nuk do ta kisha bërë kurrë edhe pse kam pasur shumë nevojë për para për sëmundjen e djalit tim. Ndaj Naimi e ka shfrytëzuar gjendjen time ekonomike…”, citohet se tha Plava.
Plava thotë se vrasjen e kreu për shkak të gjendjes së dobët ekonomike, presionit dhe gjendjes shëndetësore
Ndërsa, në deklaratën e dhënë më 14 dhjetor 2023, thuhet se deklaroi që dy javë para rastit u takuan me Naimin e Kushtrimin, ku ky i fundi i ka thënë se do të inskenojnë një aksident me makinë po që s’ka pranuar ta bëjë. Përmes Kokallës, thotë se ka planifikuar takimet me Murselin.
Një javë para vrasjes, tha se u takua me Naim Murselin, i cili në prezencën e të treve i premtoi 30 mijë euro nëse e kryen vrasjen. Tha se ia kishte dhënë 400 euro, dhe se edhe Kushtrim Kokallës një shumë e ishin marrë vesh të kryhej vrasja.
Ditën e ngjarjes, Plava ka thënë se Naimi e bleu armën dhe 20 fishekë, dhe se i kishte dhënë instruksione si të vepronte e që do i jepte sinjale me dritat e makinës se kur të vepronte.
Sipas tij, Murseli i dërgoi edhe lokacionin ku të kryente vrasjen. Tha se kur e kreu vrasjen nuk ua mori telefonat dhe as asgjë tjetër. Shtoi se nuk kishte komunikuar me Murselin më dhe se vrasjen e kreu për shkak të gjendjes së dobët ekonomike, presionit dhe gjendjes shëndetësore.
Në Dosje thuhet se kjo deklaratë ishte pjesërisht e saktë, por që tek pjesa kur thotë se nuk e dinte që fëmijët ishin në veturë, nuk mund t’i besohet pasi
edhe vetë e pranon se ishte në restorantin ku ishte Murseli, viktima dhe dy fëmijët. Por, që në këtë mënyrë ka tentuar të zvogëlojë përgjegjësinë për vrasjen e kryer në sy të dy të miturve.
Ndërsa, më 23 janar 2024 kur është pyetur në Prokurori, thuhet se Plava shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje.
Kushtrim Kokalla: Naim Murseli prej një viti më kishte lutur ta vrisja Liridonën
Sipas aktakuzës që “Betimi për Drejtësi” ka siguruar, Kokalla më 1 dhjetor 2024 ka deklaruar në Polici se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Tha se Naim Murselin e ka djalë daje dhe halle, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.
Kokalla kishte deklaruar se para një jave kishte qenë tek Murseli në shtëpi dhe më pas ishin takuar me Granit Plavën. Atë natë, tha se i kishte shkruar Murseli dhe ia kishte kërkuar numrin e Plavës dhe se pas 2-3 ditësh ishin takuar ku Murseli i kishte dhënë Kokallës 300 euro për këstin e kredisë për të cilën thotë se ka hyrë për Murselin dhe që edhe Plavës i kishte dhënë 500 euro. Për këto të fundit, ka thënë se s’kishte idenë pse iu dhanë atij.
Sipas Kokallës, më 29 nëntor 2023 kishte biseduar me të akuzuarin Murseli e që sipas tij në atë bisedë Murseli i ka kërkuar të takohen dhe u takuan rreth orës 9:30, ku i kishte thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, që sipas Kokallës kishte të bënte me vrasjen e Liridonës. Ai tha se rreth një vit i akuzuari Murseli e kishte lutur që ta kryente vrasjen.
“Naimi që afër një vit mua më ka lutur që të kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk e bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, thuhet të ketë deklaruar i akuzuari Kokalla.
Sipas Kokallës, Murseli i kishte thënë se do t’i kërkonte Granitit të takohej me të dhe se sipas tij më pas nuk ka pasur më asnjë kontakt dhe në mbrëmje kur e kishte thirrur një shok për ta pyetur se a i ka parë lajmet, e kishte kuptuar për vrasjen e Liridonës.
Gjithnjë sipas deklaratës së dhënë nga Kokalla, me të kuptuar këtë lajm kishte marrë familjen dhe kishin shkuar në Prishtinë në stacion policor dhe se me përfundimin e procedurave policore, për të mos e lënë vetëm, kishte shkuar në hotel me Murselin.
Kokalla ka deklaruar se me t’u futur në dhomën e hotelit, i akuzuari Murseli i është drejtuar me fjalët “e kreva këtë punë”.
Kokalla ka deklaruar se ka menduar që të denoncojë rastin, por se ka qenë i shokuar dhe i frikësuar për familjen e vet nga Naimi.
Tha se pas varrimit, panë Policinë duke shkuar tek shtëpia e Plavës, i akuzuari Murseli e kishte pyetur se a ka armë, por që Kokalla i kishte thënë se e ka në kasafortë dhe nuk e ka me vete.
Kokalla ka deklaruar se Murseli i ka ofruar para për këtë rast, por se nuk ka pranuar asnjëherë as para dhe as pas rastit.
Kokalla më 24 janar 2024 ka qenë i ftuar në Prokurori për të dhënë deklaratë, por ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.
Tom Dodaj: Armën me 20 fishekë e bleu Naim Murseli për 280 euro
Tom Dodaj në deklaratën e dhënë në Polici më 9 dhjetor 2023 dhe në Prokurori më 23 janar 2024, tha se ditën e ngjarjes, Murseli ishte paraqitur në servisin e tij për të rregulluar gomën e makinës.
Gjatë bisedës, kur kishte rënë biseda për armët, i kishte thënë Murselit se posedon një armë, të cilën mund t’ia shiste, duke pohuar se paraprakisht e kishte ditur se mbajtja e armës ishte e kundërligjshme dhe se është i vetëdijshëm që me këtë dhe me shitjen e armës, ka kryer vepër penale.
Dodaj ka deklaruar se nuk e ka njohur më parë Murselin dhe Plavën dhe se vetë i akuzuari Murseli i kishte kërkuar që të shikonte armën që kishte, kështu Dodaj ka deklaruar se ka shkuar në shtëpi dhe e ka marrë armën.
Dodaj ka deklaruar se armën Murseli e Plava e kishin provuar paraprakisht në shtëpinë e tij dhe se e kishte shitur me 20 fishekë në shumën prej 280 euro, ku Murseli sipas Dodajt ka marrë fishekët ndërkaq armën e ka marrë Plava.
Sipas tij, Murseli i ka thënë se armën po ia blen për babanë e Plavës sepse i pëlqen pistoletat e vogla. Tha se kur dëgjuan lajmet në mbrëmje, e kuptuan se me armën që ka shitur, ka ndodhur vrasja. Ai i kërkoi falje familjes së viktimës, duke shtuar se nuk e ka ditur se me këtë armë do kryhet vrasja dhe se është i gatshëm të përgjigjet për pasojat.
Dodaj ka deklaruar se armën e ka paguar Murseli dhe se në bisedë për blerje të armës kanë qenë të përfshirë dy të akuzuarit Murseli dhe Plava, por se Murseli ka biseduar më shumë.
“Po, në bisedë rreth armës kanë qenë të përfshirë edhe Graniti dhe Naimi, por në bisedë më shumë ka marrë pjesë Naimi dhe unë e kam kuptuar që Naimi është më shumë i interesuar se Graniti”, thuhet të ketë deklaruar Dodaj.