Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Londër, ku pati takime të rëndësishme me Kryetarin e Dhomës së Komunave, Sir Lindsay Hoyle, dhe grupin ndërparlamentar për Shqipërinë dhe Kosovën.
Ambasada britanike vlerësoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Postimi i Ambasadës Britanike në Tiranë
Dje, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, dhe delegacioni i saj vizituan Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar për bisedime të rëndësishme me Kryetarin e Dhomës së Komunave, Sir Lindsay Hoyle MP. Ky shkëmbim parlamentar përfshiu disa momente kyçe, si pjesëmarrja e delegacionit në Pyetjet për Kryeministrin dhe takimet me Grupin Ndërparlamentar për Shqipërinë dhe Kosovën. Gjatë diskutimeve produktive, të dyja palët ranë dakord për vlerën e partneritetit Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri, përfshirë nivelin parlamentar, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së praktikave më të mira demokratike gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Mbretëria e Bashkuar mbetet e angazhuar për të punuar me Parlamentin Shqiptar për të mbështetur rrugëtimin demokratik të vendit dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve të mbështesin zgjedhje të lira dhe të ndershme.