Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës, Ken Dhima. Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimit të Dhimës kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili kishte vendosur shkarkimin e tij për probleme në kriterin e pasurisë.
Në seancën e sotme, trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga gjyqtaret Ina Rama, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, shpalli vendimin për çështjen nr. 74/2021, duke lënë të pandryshuar vendimin e KPK-së, të datës 29 korrik 2021. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Ken Dhima, i cili ka filluar karrierën e tij gjyqësore në vitin 2003, ka punuar më parë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, pastaj në Shkodër dhe që nga viti 2013 ka qenë pjesë e Gjykatës Administrative të Vlorës.