Nisja e aplikimit të sistemit të ri për përcaktimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve ka sjellë një rritje të çmimeve për përdoruesit. Mbështetur në tarifat e llogaritura me aplikacionet e ofruara prej kompanive të sigurimeve në faqet e tyre të internetit, rritja e çmimeve krahasuar me vitin e kaluar mund të arrijë më shumë se 30%.
Për shembull, për një automjet të prodhuar në vitin 2007, me fuqi motorike 2500 cc, me drejtues mjeti mbi 21 vjeç, të regjistruar në Tiranë, sigurimi vjetor TPL (përfshirë taksat) kushton rreth 21,700 lekë, në rritje me afërsisht 15% krahasuar me vitin e kaluar (çmimet kanë ndryshime shumë të vogla mes kompanive të ndryshme).
Në rast se drejtuesi i mjetit është nën 21 vjeç, çmimi arrin në pothuajse 25 mijë lekë ose gati 32% krahasuar me vitin e kaluar. Për një automjet me motor 2000 cc, prodhim i vitit 2013, regjistruar në Tiranë në pronësi individuale, me drejtues mjeti mbi 21 vjeç, çmimi i ri i sigurimit, përfshirë taksat, është rreth 21 mijë lekë, afërsisht 10% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Për një drejtues mjeti nën 21 vjeç, çmimi arrin në rreth 23,100 lekë ose 21% më shumë se vitin e kaluar. Ndërkohë, për automjetet në pronësi të bizneseve, shtrenjtimi është më i lartë, për shkak të një koeficienti bazë rritjeje 20% të përcaktuar për këtë kategori. Kjo lidhet me faktin që për automjetet e biznesit rreziku i dëmeve vlerësohet më i lartë, për shkak se ato mund të përdoren nga drejtues të ndryshëm. Duke shtuar edhe koeficientët e tjerë të rritjes, për mjetet e bizneseve rritja e çmimit të siguracionit mund të arrijë në më shumë se 30% krahasuar me vitin e kaluar.
Që nga fillimi i këtij viti ka hyrë në fuqi rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, që parashikon se në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.(lexo KËTU për më shumë)