Evropa po blen gazin rus me një normë të paprecedentë në vitin 2025, duke shpenzuar miliarda dollarë që Kremlini mund t’i përdorë për të financuar luftën e tij në Ukrainë, vetëm disa javë pasi skadoi një marrëveshje e madhe tranziti.
Siç raporton Politico, të dhënat zbuluan se 27 vendet anëtare të BE-së importuan gjithsej 837,300 tonë LNG rus, nga 760,100 ton në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ka ngritur shqetësimet se vendet perëndimore nuk po ushtrojnë presion të mjaftueshëm ndaj Rusisë, ndërsa lufta hyn në vitin e saj të katërt.
Rritja vjen pas skadimit më 1 janar 2025, të një marrëveshjeje të madhe që lejonte transportin e gazit rus përmes tubacioneve përmes Ukrainës. Kievi ka refuzuar të zgjasë marrëveshjen, duke rritur nevojën për importe të LNG-së në rrugë detare nga portet ruse.
Disa vende, si Sllovakia dhe Hungaria, të cilat mbështeten në këtë tubacion për furnizimin me energji, kanë lobuar për rinovimin e marrëveshjes, duke paralajmëruar se pa të do të detyroheshin t’i drejtoheshin opsioneve më të shtrenjta si LNG.
Kryeministri pro-rus i Sllovakisë, Robert Fiço, madje kërcënoi se do të ndërpresë energjinë elektrike në Ukrainë dhe do të shkurtojë ndihmën për refugjatët ukrainas nëse Kievi nuk lejon që kalimi të vazhdojë.
Megjithatë, ndërprerja e tubacionit nuk duket të ketë zbehur oreksin e përgjithshëm të Bashkimit Evropian për gazin rus. Sipas analistit të Kpler LNG, Charles Kosterus, një “stuhi e përsosur” faktorësh shpjegon kërkesën e vazhdueshme.
“Ka pasur një valë të ftohtë që nga mesi i dhjetorit, ndërsa prodhimi i energjisë nga era ka qenë i ulët”, shpjegoi ai. “Pra, kishte nevojë për të ruajtur flukset e LNG.”
Përveç kësaj, 95% e importeve vijnë nga uzina Yamal në Siberi, ku shumica e ngarkesave mbulohen nga kontrata afatgjata, të cilat nuk lënë hapësirë për uljen e importeve.
Përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen, pranoi se, pavarësisht përpjekjeve për të hequr dorë nga energjia ruse, prania e gazit natyror rus në BE mbetet e rëndësishme.