Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka njoftuar se gjatë mbledhjes së parë të këtij viti të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, janë miratuar ndryshime të rëndësishme në rregullore që synojnë fuqizimin e integritetit dhe efektivitetit të Kuvendit.
Ajo tha se ndryshimet kanë të bëjnë me vlerësimin parandalues të korrupsionit dhe kontrollin post-legjislativ, dy mekanizma që do të bëhen pjesë e procesit ligjvënës nga ky sesion, duke garantuar transparencë dhe ligje të zbatuara me efektivitet.
“Në mbledhjen e parë për këtë vit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, hodhëm një hap të rëndësishëm për të fuqizuar më tej integritetin dhe efektivitetin e Kuvendit, duke miratuar me unanimitet ndryshime në Rregullore për
✅Vlerësimin parandalues të korrupsionit dhe;
✅Kontrollin Post-Legjislativ.
Duke filluar nga ky sesion, këto mekanizma bëhen pjesë integrale e procesit tonë ligjvënës, duke forcuar kështu transparencën, duke sfiduar çdo influencë të papërshtatshme në ligjbërje dhe së fundmi duke garantuar jo vetëm ligje të miratuara, por edhe të zbatuara me efektivitet”, shkruan Spiropali.