Mungesa e progresit në çështjen e vetme, për të cilën Kosova e Serbia u dakorduan fundvitin e shkuar, e konfirmon bllokimin në dialogun e lehtësuar nga Brukseli dhe kjo, sipas ekspertit për Ballkanin, Daniel Serwer, po tentohet të tejkalohet nga Shtetet e Bashkuara.
Me gjithë pajtimin e palëve, të mërkurën dështoi takimi i parë mes komisioneve përkatëse për të zhdukurit nga lufta e fundit. Derisa Kosova i paraqiti prioritetet rreth çështjes, pala serbe e bojkotoi takimin shkaku i aksionit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele në disa komuna.
Në Bruksel insistojnë që çështja të trajtohet në dialog, por as në konferencën e një dite më parë, zëdhënësja e BE-së nuk tregoi se cili duhet të jetë ai, që u quajt “dialog konstruktiv”.
E Lista Serbe të premten njoftoi se u përcolli letër BE-së, OSBE-së e shefit të misionit të UNMIK-ut, me kërkesën për reagim të menjëhershëm kundër veprimeve të Prishtinës zyrtare për mbylljen e strukturave të Serbisë.
Mes atyre që reaguan kundër veprimit të autoriteteve të Kosovës është edhe SHBA-ja, përfaqësues të së cilës paralajmëruan marrëveshje për dialog strategjik në fusha të rëndësishme.
Në reagim, u tha se aksionet e pakoordinuara e dobësojë besimin e marrëdhënieve dhe e kufizojnë aftësinë e SHBA-së për ta ndihmuar aspiratën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.