Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zhvilloi një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të samitit të Davosit.
Lajçak vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit, e arritur në vitin 2023, ka hapur rrugën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në takimin tonë të fundit në rolin tim aktual me presidentin Aleksandar Vuçiq fola për gjendjen në dialog. Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit. Progresi i mëtutjeshëm është në interes të Serbisë, Kosovës, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së tyre”, është shprehur ai në rrjetin social X.
Ndërkohë, Vuçiç shprehu nevojën për forcimin e angazhimit të BE-së dhe shtetet e saj anëtare në Kosovë, duke kërkuar më shumë mbështetje për të drejtat e serbëve në Kosovë.
“Falënderova Përfaqësuesin Special të BE-së për bashkëpunimin e mëparshëm dhe i urova fat në karrierën e tij të ardhshme. Në të njëjtën kohë, përsërita thirrjen time për BE-në dhe shtetet anëtare për të forcuar angazhimin dhe ndikimin e tyre në Kosovë, dhe për t’i siguruar popullit serb në Kosovë të drejtën për jetë të lirë, drejtësi dhe zë”, ka shkruar Vuçiç në rrjetin social Facebook.