Grupi palestinez, Hamas, ka publikuar emrat dhe fotot e katër pengjeve izraelite që do të lirohen të shtunën, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë. Pengjet që do të lirohen janë ushtaret Karina Ariev, Daniella Gilboa, Naama Levy dhe Liri Albag.
Ky shkëmbim është pjesë e marrëveshjes që përfshin lëshimin e 180 të burgosurve palestinezë nga Izraeli. Ky do të jetë shkëmbimi i dytë i pengjeve dhe të burgosurve që pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të dielën e kaluar, pas lirimit të tre pengjeve dhe 90 të burgosurve në shkëmbimin e parë.
Armëpushimi ka ndaluar luftën mes Hamasit dhe Izraelit, që ka nisur më 7 tetor 2023. Pjesë e marrëveshjes është edhe lirimi i 26 pengjeve të tjera gjatë pesë javëve të ardhshme.