E ndërsa nga QSUT dhe Onkologjiku nuk ka ditë që të mos ketë denoncime mbi shërbimin, mungesën e ilaçeve dhe trajtimin, kryeministri Edi Rama u shpreh sot se do të hapë një faqe të re për shërbimin publik spitalor në bashkëpunim me spitalin izraelit “Sheba Medical Center” që nga sot është partneri i Qendrës Spitalore Univeristare “Nënë Tereza”. Rama u shpreh se objektivi është që në 5 vitet e ardhshme, QSUT-ja të kthehet në një qendër ekselence teknologjike.
“Puna me Onkologjikun do të fillojë që sot. Ne po diskutojmë me lidershipin e spitalit për planin e zhvillimit të spitalit dhe kemi rënë dakord që qeveria do i përkushtohet planit në mënyrë serioze sepse në fund të ditës ai plan ka edhe një faturë dhe ne do të bëjmë gjithçka që atë faturë ta përballojmë. QSUT në 5 vitet e ardhshme, një qendër ekselence teknologjike. Ky është objektivi. Kjo është plotësisht e mundur sepse shumë gjëra që i kanë në spitalin e tyre, mund t’i vënë në dispozicionin tonë. Për blerjen e barnave dhe menaxhimit të tyre, ne do të krijojmë një praktikë shumë të mirë ndërkombëtare këtu. Në 5 vitet e ardhshme, ne ta krijojmë këtu kulturën e menaxhimit të kompleksit spitalor.
Rikthehemi me garancinë që na jep një partneritet strategjik në një nga qendrat më të shquara të ekselencës në botë, spitalin prestigjioz të Izraelit që është rankuar i 9-ti në klasifikimin e përgjithshëm të spitaleve të gjithë botës. Jam optimist i transformimit të QSUT dhe të Spitalit Onkologjik në një pasqyrë kuptimplotë të një shërbimi shëndetësor ekselent në Shqipëri sepse ky nuk është një shkëmbim rastësor eksperience, por një aleancë strategjike e bazuar në mirëkuptimin se krah për krah me mjekët e spitalit ne do të arrijmë të krijojmë një sinergji që do ta bëjë në këtë periudhë disavjeçare QSUT-në 2030, një shëmbëlltyrë ekselence për Shqipërinë dhe të gjithë rajonin. Mirënjohës Presidentit të Izraelit që u tregua i gatshëm të na vendoste këtë kontakt” tha ai.