24 orë pas krimit arrestohet një person për vrasjen e Lulzim Vishës dje në Kamëz. Ai është Eduart Lami, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në krim. 37-vjeçari është vënë në pranga më parë për armëmbajtje pa leje dhe është kushëriri i Ervis Lamit, personit që inicioi planin e arratisjes së bujshme nga burgu i Drenovës.
Sipas policisë, janë kryer kontrolle në banesën e Ervis Lamit, ndërsa ai është shpallur në kërkim. Në banesë janë gjetur një armë zjarri automatike me silenciator, municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja arme.
Viktima Visha punonte postier dhe në momentin e ngjarjes ishte nisur për në punë me automjetin e një poste private, ku u qëllua me breshëri plumbash. Deri më tani, ka dyshime për një hasmëri të mundshme mes viktimës Lulzim Visha dhe personave të tjerë. Para disa viteve, vëllai i Lulzim Vishës ka vrarë një tjetër person.