Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Kryepeshkopit Anastas në ringjalljen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pas dekadave të represionit komunist.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasios Janullatos. Sot, me nderim dhe respekt të veçantë, shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë,” shkroi Berisha.
Ai gjithashtu u shprehu ngushëllimet e tij familjes së Kryepeshkopit, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë në vend. Në përfundim, Berisha shtoi lutjet e tij që “shpirti i ndritur i këtij shërbëtori të pakursyer të Kishës dhe Zotit të gjejë paqen e amshuar.”