Policia e Durrësit ka ndaluar një nga organizatorët e kontrabandimit të një sasie të madhe nafte, e cila ishte transportuar nga Tunizia me anije. Gjatë operacionit të koduar “Ari i zi”, është arrestuar shtetasi E.S., 59 vjeç, i cili akuzohet për organizimin e kontrabandës së 670,000 litrave naftë, të cilat ishin fshehur në balastra të anijes për t’u kaluar pa u kapur.
Në bashkëpunim me shtetasin F. B., i cili është ende në kërkim, E.S. organizoi transportimin e naftës nga Tunizia në Shqipëri. Pas zhvillimit të operacionit në portin e Durrësit, tre anëtarë të ekuipazhit të anijes u arrestuan, ndërsa pesë të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.
Operacioni vazhdon për kapjen e shtetasit F.B. dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e kontrabandës. Materialet procedurale janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.