-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fatos Çoçoli: Dy nisma të Bankës së Shqipërisë

Kryesoret

Këtë muaj të parë të vitit, banka qendrore e vendit, Banka e Shqipërisë ofroi dy nisma me interes të jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit dhe xhepat tanë. Së pari, më 15 janar 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë njoftoi nisjen e një programi të gjerë financimi me hua të buta për bizneset e vogla dhe të mesme. Fondi i vënë në dispozicion është 25 miliardë lekë ose 250 milionë euro. BSH shpreson që përfitues të jenë rreth 100 mijë sipërmarrës shumë të vegjël(mikro), të vegjël dhe të mesëm nga të gjithë sektorët e ekonomisë, sidomos nga bujqësia.

Këta sipërmarrës mund të marrin hua të butë deri në 250 mijë euro, me kusht që shumën ta përdorin vetëm për investime në aktivitetin e tyre. Investimet duhet të synojnë shtimin e kapaciteteve të këtyre bizneseve mikro, të vegjël dhe të mesëm, shtimin e vendeve të punës, etj. Norma e interesit nuk do të kalojë asnjëherë nivelin 3.5 për qind mbi paratë e dhëna. Pra, hua e butë. Në fakt, mund të jenë hua me kosto edhe më të ulët. Qeveria ka deklaruar akordimin e një fondi garancie për këtë shumë 250 milionë euro. Do të jetë fondi më i madh i garancisë, i dhënë ndonjëherë nga buxheti i shtetit.

Me futjen e garancisë sovrane shtetërore, përqindja e interesit për këto 100 mijë hua të buta ulet shumë. Kështu, nëse garancia shtetërore mbulon 15-35 për qind të kredisë, interesi ose kosto e parasë bie nga 3.5 në 3 për qind çdo vit. Nëse garancia mbulon 35-55 për qind të kredisë, interesi ulet në 2,5 për qind dhe nëse mbulon 55-75 për qind të kredisë, interesi vjetor kalon në vetëm 2 për qind. Të gjithë qytetarët tanë sipërmarrës të vegjël ose të mëdhenj, kanë kohë të aplikojnë në këtë program të Bankës së Shqipërisë deri më 31 dhjetor 2025. Do të jenë bankat tona tregtare ato që do të realizojnë programin dhe çdo qytetar-sipërmarrës i vogël dhe i mesëm mund të aplikojë pranë bankës që dëshiron, ose ku merr rrogën apo kryen transaksionet e tjera bankare. Kështu afrohen bizneset e vogla dhe të mesme tonat me bankat tregtare, kuptohet më mirë mes tyre. Kjo, pasi deri tani, nuk është se bankat tregtare u kanë qëndruar qytetarëve shumë afër në bizneset e tyre mikro, të vogla apo të mesme. Sidomos fermerëve.

Programi i BSH ka një lidhje të qartë dhe sinergji me Bankën Shtetërore të Zhvillimit që pritet të hapet shumë shpejt, pasi të miratohet projektligji i saj, i cili është tani në diskutim publik. Kjo bankë e re do të ketë kapital të saj 100 milionë euro fonde, që në ditën e parë të veprimit. Së dyti, më 10 janar 2025, në mjediset e Bankës së Italisë, bankës qendrore të shtetit fqinj, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit, mbi nisjen e projektit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo marrëveshje përbën modernizim real të sistemit tonë të pagesave, pasi krijimi i një sistemi TIPS-Clone (kopje e sistemit “Targetimi i Kryerjes së Pagesave të Menjëhershme”, në anglisht “Target Instant Payment Settlement” të Bashkimit Evropian) përfaqëson një iniciativë strategjike për të përmirësuar infrastrukturën financiare të vendit tonë, si dhe për ta përshtatur atë me standardet e BE-së.

Ky sistem do të lejojë njerëzit dhe kompanitë në Europë të transferojnë euro brenda disa sekondave tek ne dhe në vendet e tjera të rajonit tonë, si dhe anasjelltas. Sistemi “klon” i TIPS është një përshtatje teknike e TIPS. Ky sistem ofron shërbime të pagesave të menjëhershme për tregun shqiptar dhe potencialisht për gjithë vendet e rajonit. Këtij qëllimi i shërbeu nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje më 10 janar në Romë, Itali. Kjo, pasi banka qendrore e Italisë është ngarkuar nga Banka Qendrore Evropiane, e cila menaxhon infrastrukturën e TIPS për të 27 shtetet anëtare, për të qenë operatori teknik i TIPS për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe BosnjëHercegovinën. Sistemi TIPS-Clone ku po futemi, ofron një platformë për pagesa të menjëhershme (instant payments), që plotëson kërkesat e sistemit SEPA. TIPS jo vetëm që rrit eficiencën dhe sigurinë në transaksionet tona financiare, por, gjithashtu, luan një rol të rëndësishëm në harmonizimin e rregullave dhe teknologjisë financiare të Shqipërisë me ato të BE-së.

Pagesat në TIPS mundësojnë transferta parash në euro brenda më pak se 10 sekondave, kudo ku të jemi në Shqipëri, apo në vende të rajonit tonë dhe në Bashkimin Evropian. Dhe kjo do të ndodhë në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë vitit. TIPS-Clone nuk është vetëm një zgjidhje teknike, por edhe një instrument për integrimin rajonal dhe evropian të vendit. Ai do të lehtësojë pagesat ndërkufitare, duke krijuar një infrastrukturë të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, zbatimi i tij do të ndihmojë në digjitalizimin e ekonomisë sonë, reduktimin e përdorimit të parasë letër dhe nxitjen e transparencës financiare.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit