Policia e Kosovës ka zbuluar një shtëpi në Prishtinë që ka shërbyer si laborator i sofistikuar për prodhim të dokumenteve të falsifikuara, përfshirë pasaportat, kartat e identitetit dhe patentë shoferët.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se ka arritur ta zbulojë shtëpinë pasi më 24 janar e ka ndaluar një automjet në të cilin ka gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës.
Shoferi me inicialet F.K, është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Policia ka thënë se në objektin e zbuluar ka arritur të sekuestrojë makina laserike, printerë, mbi 20.000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës.
Ndërkohë është bërë e ditur se Prokuroria e Kosovës është duke e hetuar rastin si falsifikim i dokumenteve dhe krim i organizuar.