Zv.ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, ka shpjeguar në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë projektligjin e ri për njohjen e viteve të punës, i cili synon të ndihmojë qytetarët që kanë punuar në ish-kooperativa ose ndërmarrje shtetërore para vitit 1994, por nuk kanë mundur të dokumentojnë periudhën e punës së tyre për të përfituar pensionin.
Sipas projektligjit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të njohë periudhat e sigurimit për ata që nuk kanë mundur të sigurojnë dokumente, nëse mund të provojnë që nuk kanë qenë të dënuar dhe kanë jetuar pranë vendit të punës.
PROJEKTLIGJI
Gjatë punimeve të Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani u shpreh se ky projektligj ka rëndësi për një numër të madh qytetarësh që kanë punuar para vitit 1994 dhe nuk kanë mundur të dokumentojnë periudhat e tyre të punës për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore”. “Projektligji ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore nga mosha 18 vjeç apo nga data e mbarimit të shkollës së lartë deri në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit 7703 të vitit 1993 në ish-ndërmarrjet bujqësore, në datën e hyrjes në fuqi të VKM-së nr.452, datë 17/10/1992 për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore, i ndryshuar dhe në ish-kooperativat deri në datë 19/07/1991 që është data e hyrjes në fuqi e ligjit 7501 për tokën, i ndryshuar”,-tha Manjani.
Zëvendësministrja shpjegoi se, në përmbushje të legjislacionit në fuqi, me qëllim njohjen e periudhave të punës për efekt të llogaritjes së masës së pensionit të pleqërisë, është konstatuar se shumë nga punonjësit e ish-ndërmarrjeve shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore nuk arrijnë të provojnë dhe dokumentojë të gjitha periudhat e vjetërsisë për marrëdhëniet e punës para vitit 1994.
“Problematikat në dokumentacionin provues janë evidentuar edhe nga legjislacioni zbatues i Sigurimeve Shoqërore. Në shumë raste, kërkuesit nuk kishin periudha kontributive pas vitit 1994, nuk plotësohej kushti minimal i periudhës së sigurimit, pra 15 vjet, gjë që ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesë padi për njohjen e periudhave të padokumentuara përpara vitit 19943 ,-vuri në dukje ajo.