Në ditën e lindjes së Ismail Kadaresë, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e ka nderuar këtë kolos të letrave shqipe, duke e quajtur atë më të madhin dhe më të ndriturin e kombit shqiptar.
Spiropali e përkujtoi Kadarenë si një humanist dhe patriot të madh, duke vlerësuar veprën e tij të jashtëzakonshme, që ka ndriçuar kulturën shqiptare ndërkombëtarisht.
“Gjeniu ynë Kadare, ai që e mbajti qiririn ndezur, i shkroi të gjithë librat, i përktheu në të gjitha gjuhët, i mori të gjitha çmimet, ia bëri vendit të gjitha nderimet, ia kreu të gjitha shërbimet, sot ka Ditën e Lindjes.
Kujtojmë në këtë ditë kolosin tonë humanist, kulturor, patriotik.
Sot e mot e përgjithmonë i paharruar në zemrat tona, në mendjen tonë, në kujtesën tonë, më i madhi dhe më i ndrituri ynë.
Fjalët me zor i gjejmë. Fryma s’na mjafton.
Na duhesh. Ngreu, dhe kthehu, prej atje ku je, ku përkohësisht ke shku.”, shkruan Spiropali.