Donald Trump i ka dhënë fund misterit rreth dronëve që kanë fluturuar mbi New Jersey që nga nëntori i kaluar dhe kanë shkaktuar shumë shqetësime.
Në konferencën e parë për shtyp të administratës së dytë të Donald Trump, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, hodhi poshtë incidentin që ishte bërë tituj në SHBA dhe që Trump ishte zotuar se do ta sqaronte kur të kthehej në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, shpjegimi që dha nuk ishte shumë i qartë.
“Pas hetimit dhe studimit, dronët që fluturonin mbi New Jersey në numër të madh u autorizuan të fluturonin nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) për kërkime dhe arsye të tjera të ndryshme”. Ajo deklaroi se informacioni kishte ardhur “direkt nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, në Zyrën Ovale”.
Levitt vazhdoi të shpjegonte se shumë nga dronët ishin në pronësi të hobisteve dhe individëve privatë dhe “me kalimin e kohës, ajo u përkeqësua për shkak të kuriozitetit”.
Komentet vijnë pasi dronët e parë u shfaqën në nëntor duke fluturuar mbi baza ushtarake dhe fushën e golfit të Trump në Bedminster, duke rritur frikën për kërcënimet e huaja dhe mbikëqyrjen ajrore të qytetarëve amerikanë.
Zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë siguroi publikun se ata nuk ishin armiqësorë, por nuk zbuloi se kush i përdori dronët apo çfarë lloj hetimi po zhvillohej.