Moti i keq ka shkaktuar probleme të mëdha në qarkun e Kukësit, me reshje shiu që kanë sjellë rënien e gurëve dhe dherave në disa akse rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve.
Aksidentet janë regjistruar në rrugët si Kukës-Bushtricë, Kukës-Shishtavec, Krumë-Kam-Tropojë dhe Bajram Curri-Fierz-Qaf Mali, ku rënia e materialeve ka bllokuar disa segmente të rrugëve. Situata është më problematike në aksin Kukës-Qaf Mali-Pukë, ku një korsi është bllokuar nga dherat dhe gurët.
Në segmentin Kolsh-Qaf Shllak, problemi është thelluar për shkak të mjegullës së dendur që ka ndikuar në kufizimin e fushpamjes dhe ka vështirësuar kalimin. Për më tepër, nuk ka pasur ndërhyrje të menjëhershme nga punonjësit dhe mjetet e firmës kontraktuese për largimin e materialeve nga rruga, duke e përkeqësuar edhe më shumë situatën.