Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku me anë të një postimi në rrjete sociale ka denoncuar skemën e re fiskale të qeverisë.
Tabaku shprehet se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, ku të ardhurat për frymë janë më të ulëtat në rajon.
“Por çfarë bën mazhoranca socialiste? A merr masa për të lehtësuar jetesën e qytetarëve? A ndihmon ata që punojnë me ndershmëri? Jo! Socialistët nuk merren me problemet e shumicës, por me pasurimin e pakicës.
Në këtë realitet të zymtë, qeveria sjell dy ligje që falin taksat për oligarkët! Në një kohë kur shtresa e mesme dhe qytetarët e ndershëm paguajnë 23% tatim mbi punën e tyre, qeveria vendos që investitorët në ndërtimin e resorteve turistike të mos paguajnë taksa për 10 vjet!
Ky nuk është një shtet që mbështet qytetarët e ndershëm, por një regjim që ushqen një pakicë oligarkësh!
Ndërsa shqiptarët largohen nga vendi sepse nuk shohin të ardhme, një grusht biznesmenësh të oborrit të Partisë Socialiste marrin toka falas, taksa falas dhe leje ndërtimi të personalizuara. Ata që kanë miq në qeveri, pasurohen pa punuar. Ata që punojnë ndershmërisht, paguajnë më shumë dhe marrin më pak. Në këtë sistem, nëse je i lidhur me qeverinë, pasurohesh. Nëse je i ndershëm, ndëshkohesh!
Ky nuk është socializëm, ky është klientelizëm! Ky nuk është një shtet, ky është një klub i të privilegjuarve!
Kjo nuk është një paketë për zhvillimin e Shqipërisë.
Kjo është një paketë anti-Shqipëri! Një paketë që favorizon oligarkët dhe e lë shumicën e shqiptarëve në varfëri.”, shprehet Tabaku.
Ajo bën thirrje që me 11 maj duhet të rikthet konkurrenca dhe meritokracia. Deputetja nënvizon që duhet të ulen taksat për ata që punojnë dhe duhet të ndalohen privilegjet për oligarkët. Tabaku thekson që “Koha e padrejtësisë po mbaron!”