Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi gjatë fjalës së saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ngriti alarmin mbi krizën demografike që po përjeton Shqipëria për shkak të emigracionit masiv.
Vokshi theksoi se mbi një milion shqiptarë janë larguar gjatë dekadës së fundit, ku 75% e tyre janë profesionistë të rinj, studentë dhe punëtorë të kualifikuar.
“Nuk është thjesht një ndryshim demografik, por shterimi i së ardhmes së kombit tonë. Shqipëria është vend kandidat për në BE, por qytetarët nuk po presin më anëtarësimin ata po bëhen europianë vetë,” u shpreh deputetja.
Vokshi tha se ndërsa BE investon qindra miliona euro për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri, në të njëjtën kohë përfiton nga largimi i profesionistëve shqiptarë.
Ajo nënvizoi se Shqipëria dhe BE duhet të bashkëpunojnë për të thyer këtë cikël negativ, duke ofruar stimuj për të rinjtë që të qëndrojnë, përmes reformave ekonomike dhe forcimit të sundimit të ligjit.
“Një Shqipëri e qëndrueshme dhe e zhvilluar forcon gjithë Europën. Kjo Asamble nuk duhet ta shohë Shqipërinë vetëm si një burim migrimi, por si një komb që ka nevojë urgjente për veprim. Sepse kur demokracia dobësohet në një cep të Evropës, ajo na prek të gjithëve,” tha Vokshi.