Kuvendi u mblodh pasditen e djeshme në seancë plenare ku shqyrtoi dhe miratoi 8 projektligje, një Akt Normativ dhe 3 Projektvendime. Seanca i mbylli punimet rreth orës 00:35.
Projektligjet
Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese tê marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar te Tiranës”, ratifikuar me ligjin nr. 29/2017, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, u shpreh se Tirana dhe Durrësi janë dy qytete të mëdha dhe lidhja e tyre me hekurudhë është projekt i madh strategjik dhe një lidhje me rëndësi infrastrukturore që do ti bashkojë edhe më shumë këto qytete. U konsiderua e rëndësishme që pjesë e financimit nga Banka Europiane për Rindërtim të ishte edhe ndërtimi i godinave të reja të stacione. Ndërsa, deputeti i opozitës Dashnor Sula, tha se për këtë projekt është kërkuar fond shtesë, gjë të cilën e gjen jo më vend sipas tij.
Ky projektligj u miratua me 74 vota Pro.
Projektligjin “”Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar, e prezantoi ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, i cili theksoi se letërnjoftimi digjital do të jetë një mjet i fuqishëm për të lehtësuar shërbimet publike, për të rritur sigurinë dhe transaksionet online. Ministri Hoxha ftoi Kuvendin për të votuar këtë projektligj të rëndësishëm, i cili do të ketë efekt pozitiv edhe për brezat e ardhshëm. Deputetja e opozitës Greta Bardeli, në fjalën e saj u shpreh se ky projektligj cënon privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Ky projektligj u miratua me 74 vota Pro.
Për projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar, Abidjan 2021, perfshirë ndryshimet e miratuara në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Addis Ababa 2018, dhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Gjenevë 2019, të Bashkimit të Përbotshëm Postar”, nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste foli Hatixhe Konomi, e cila tha se qëllimi i ndryshimeve në këtë projektligj, është reflektimi i nevojave dhe dinamikave në tregun botëror postar, me rritjen e volumit të dërgesave për shkak të tregtisë elektronike.
Ky projektligj u miratua me 75 vota Pro.
Sa i përket Aktit Normativ nr. 5 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023 “Për buxhetin e vitit 2024″, i ndryshuar, ministri i Financave Petrit Malaj, gjatë fjalës së tij, theksoi faktin se ndryshimet e propozuara në këtë Akt sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makrofiskalë e buxhetorë, krahas garantimit të trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. “Sipas vlerësimeve dhe parashikimeve më të fundit ai pritet të jetë në nivelin prej rreth 1377 miliardë lekë në fund të vitit 2024, ose rreth 55% e PBB në terma relative”, tha Malaj. Bujar Leskaj, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, tha se ky Akt Normativ tregon qartë dështimin e planifikimit fillestar të buxhetit dhe nevojën për ndërhyrje emergjente në fund të vitit, si edhe përdorimin e parave publike për qëllime elektorale.
Ky Akt Normativ u miratua me 74 vota Pro.
Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024 për ndryshimin e vendimit nr. 1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr. 59/2024, me qëllim përfshirjen e dispozitave kalimtare ne ndryshimet e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane, të zbatueshme nga 1 janari 2025”, u prezantua nga ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, z. Blendi Gonxhja, i cili tha se duke votuar në mbështetje të projektligjit të paraqitur sot, sigurojmë që nuk do të kemi ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe të tregtisë midis vendeve me të cilat Shqipëria ka marrëveshje të tregtisë së lirë, midis tyre vendet e Bashkimit Europian, shtetet e CEFTA-s dhe Turqia.
Ky projektligj u miratua me 74 vota Pro.
Sa i përket projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu'”, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, u shpreh se ky projekt synon mbështetje institucionale për performancë të qendrueshme nga njësitë e qeverisjes vendore, investime të bazuara në performancën mjedisore për parandalimin e ndotjes lokale, mbështetje dhe përhapje të ndryshimit të sjelles për të rritur ndërgjegjësimin. Ndërsa, deputeti i opozitës Asllan Dogjani, në fjalën e tij e konsideroi të panevojshme marrjen e nje huaje kaq të madhe për këtë projekt, në këto kohë për vendin tonë.
Ky projektligj u miratua me 74 vota Pro.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, u prezantua nga deputetja Pranvera Resulaj. Resulaj vuri në dukje se ky projekt është një mundësi shumë e mirë për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili parashikon zgjatjen e afatit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese, që dëshirojnë të përfitojnë lehtësirat e parashikuara nga ligji “Për investimet strategjike”. Gjithashtu, shtoi se ka një interes shumë të lartë të subjekteve për investime, dhe fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit.
Ky projektligj u miratua me 73 vota Pro.
Projektligji “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”, u prezantua nga ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja, i cili tha se ky projektligj i hap rrugë njohjes automatike të periudhës së vjetërsisë në punë, për efekt pensioni të punonjësve të ish-ndërmarrjeve bujqësore, ish-kooperativat bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore të para vitit 1994. Nga ndryshimet ligjore përfitojnë të gjithë ata që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore, ish-kooperativat bujqësore apo ish-ndërmarrjet shtetërore nga mosha 18 vjeç, deri në momentin kur janë shuar ish-kooperativat dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
Ky projektligj u miratua me 74 vota Pro.
Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi te ardhurat”, i ndryshuar, u prezantua nga deputeti i mazhorancës Blendi Klosi, i cili kërkoi përmes ndryshimit të propozuar, shtimin me 2 vite të afatit të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat të strukturave që kanë përfituar statusin special. Po ashtu, një tjetër pikë në ndryshimin e propozuar, ka të bëjë me lënien e një afati 3-vjeçar nga marrja e statusit deri në fillimin e investimit, pasi sikurse sqaroi Klosi, projekte të tilla kërkojnë periudha të gjata kohore.
Ky projektligj u miratua me 68 vota Pro.
Projektvendimet
Seanca e sotme plenare votoi edhe 3 projektvendime, përkatësisht;
Projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e (i) miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d. o. o. ; dhe (iii) ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”, u rrëzua me 73 vota Kundër.
Projektvendimi “Për dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” u rrëzua me 61 Kundër.
Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës se Shqipërisë”, i ndryshuar, u miratua me 74 vota Pro.