Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi në fjalën e saj në Asamblenë Kombëtare të Këshillit të Europës, në Strasburg ka kërkuar mbështetje për qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 11 majit.
Vokshi tha se demokracia nuk negociohet dhe se kurrë nuk duhet të shkëmbehet për të ashtuquajturin stabilitet. Ajo nënvizon ndihmën që shqiptarët të mund të hedhin votën e tyre të lirë dhe në mënyrë sekrete.
“Sot, qëndroj para jush, për të ngritur zërin kundër erozionit të demokracisë dhe lirive politike në vendin tim, në Shqipëri.
Kjo nuk është vetëm lufta e imja apo e opozitës. Kjo, duhet të jetë lufta e të gjithëve ne– nëse nuk qëndrojmë së bashku tani, demokracia në vendet tona do të rrëshqasë prapa. Ne duhet të bashkohemi për të dërguar një mesazh të qartë për të gjithë liderët autoritarë:
Demokracia nuk negociohet!!!
Kurrë nuk duhet ta shkëmbejmë demokracinë për të ashtuquajturin stabilitet!
Kurrë nuk duhet të lejojmë që interesat e popullit të sakrifikohen për përfitime private!
Ajo që kërkojmë sot, është mbështetje për t’i siguruar qytetarëve të drejtën më themelore – të drejtën për të votuar të lirë!
Na ndihmoni që shqiptarët të mund të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, lirisht dhe në mënyrë sekretë, duke bërë që ata dhe vetëm ata të zgjedhin se kush do t’i qeverisë, tha Vokshi.