Dy zyrtarët e lartë të USAID-it, John Voorhees dhe zëvendësi i tij, janë pezulluar, pasi u përpoqën të pengonin fizikisht zyrtarët e DOGE që të hynin në sistemet e USAID-it.
Miliarderi amerikan, Elon Musk e ka konsideruar Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar, e njohur si (USAID) një “organizatë kriminale”.
“USAID është një organizatë kriminale,” shkroi Musk në platformën X.
Në një tjetër postim në rrjetin social “X”, Musk i dyfishoi akuzat e tij ndaj USAID, dhe pa dhënë dëshmi, pyeti 215 milionë ndjekësit e tij: “A e dini se USAID, duke përdorur dollarët TUAJ tatimorë, financoi kërkime për armët biologjike, përfshirë Covid-19, që vrau miliona njerëz?” “USAID” është e ligë”.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe presidenti Donald Trump.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar është “drejtuar nga një grup i çmendurish radikalë dhe ne po i nxjerrim jashtë… dhe më pas do të marrim një vendim (për të ardhmen e saj)”, tha Trump të dielën pa dhënë detaje.
Ai nënvizoi mbështetjen e tij për Musk, duke u thënë gazetarëve të dielën mbrëma se ai ndjente se miliarderi “po bënte një punë të mirë” edhe nëse ata nuk ishin dakord për çdo pikë.