Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vlerësoi punën e drejtorive të Policisë së Elbasanit dhe Korçës gjatë analizës vjetore të punës. Ai theksoi se rritja e forcës parandaluese në Elbasan ka sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm, duke bërë që ky qark të mos kishte asnjë vrasje gjatë vitit 2024, një arritje që nuk ishte shënuar që nga viti 1989.
Gjithashtu, ai vlerësoi hetimet e Policisë së Korçës, që çuan në zbardhjen e dy vrasjeve, dhe përpjekjet e Policisë Kufitare për të përballuar fluksin e lartë të kalimeve në pikat kufitare.
Drejtor Proda kërkoi përmirësim të mëtejshëm të punës gjatë vitit 2025, veçanërisht në policimin në komunitet dhe parandalimin e krimeve, duke theksuar luftën ndaj armëmbajtjes pa leje, krimeve ndaj jetës dhe pronës, dhe trafiqeve të paligjshme.
Ai gjithashtu kërkoi nga strukturat policore që të mbeten të paanshme gjatë fushatës zgjedhore dhe të zbatojnë me rigorozitet ligjin për të garantuar rendin dhe sigurinë.