Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka shprehur dhimbjen e saj pas ndarjes nga jeta të Baba Hekuranit, dervishit të Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan.
Ajo e ka cilësuar Baba Hekuranin si një njeri të rrallë, një klerik zemërbardhë që mblidhte komunitetin në tempullin e Alipostivanit. Kumbaro ka theksuar se figura e tij shpirtërore dhe ndihma që ka ofruar do të mbeten të paharruara për shumë njerëz.
Postimi i Kumbaros:
Dita sot u gdhi me një lajm shumë të trishtë për komunitetin bektashi të Qarkut tonë, për të gjithë përmetarët, por edhe për mua personalisht!
Sot humbëm Baba Hekuran Nikollarin🕯️
U ngrit në qiell një Mik i çmuar, një Njeri i rrallë, një Klerik zemërbardhe që dinte, si askush tjetër, të na mblidhte të gjithëve në tempullin e jashtëzakonshëm monumental të Alipostivanit, apo të Teqesë së Frashërit, për një festë, për një rit, a për një hall.
Janë me dhjetra mijëra ata që kanë gjetur përkrahje në bekimet, këshillat e aksionet e Baba Hekuranit dhe jam e bindur që do të na mungojë përgjithmonë në aureolën legjendare të Alipostivanit kjo figurë shpirtërore aq popullore !
Prehu i qetë Baba Hekuran