Kryeministri Edi Rama ka shënuar 10 vjetorin e krijimit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, duke e cilësuar këtë institucion si një arsye krenarie për punën e tij të përditshme.
Sipas Ramës, agjencia ka arritur të konsolidohet si një model i menaxhimit të zonave të mbrojtura në rajon, duke promovuar vlerat natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Një institucion i cili na bën krenarë për punën që bën çdo ditë së bashku me stafet e 12 administratave rajonale që kujdesen për paraqet kombëtare, natyrore, monumentet e natyrës, peizazhet, biodiversitetin duke promovuar vlerat tona natyrore e orientuar kah zhvillimit të qëndrueshëm me vëmendjen tek komunitetet lokale”
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e anëtarësimit në Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës dhe bashkëpunimin me Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.
“Në këto 10 vite Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është konsoliduar si model dinjitoz i menaxhimit të zonave të mbrojtura ndër vendet e rajonit, ndërsa anëtarësimi në Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës dhe bashkëpunimet me Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara i shtojnë vlerat përpjekjeve tona për mbrojtjen e mjedisit natyror dhe zhvillimit të qëndrueshëm.”