Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se sektori bujqësor ka performancën më të dobët ndër sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare. Ai tha se kreditimi i sektorit bujqësor ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me kreditimin e sektorëve të tjerë të vendit.
“Sektori bujqësor ka performancën më të dobët ndër sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare, ecuri e cila diktohet nga disa probleme strukturore, ku veçoj: fragmentarizimin e tokës, nivelin e ulët të mekanizimit, si dhe integrimin e pakët horizontal dhe vertikal midis fermerëve, tregut dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Në të njëjtin plan, kredia për sektorin bujqësor përbën më pak se 2% të kredisë bankare për bizneset. Ecuria ende larg dëshirës dhe nevojave që sektori bujqësor ka për kredi, pasqyron si realitetin e rrezikut që mbart kreditimi i këtij sektori, si pasojë e natyrës së aktivitetit, e problemeve të tij strukturore, si dhe e mungesës së kolateralit, ashtu edhe kostot e larta të kreditimit.
Megjithatë, rritja e vëmendjes suaj ndaj kreditimit të tij është një çështje me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit. Studimet e kryera në këtë drejtim, kanë evidentuar se kreditimi i sektorit bujqësor ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me kreditimin e sektorëve të tjerë të vendit” tha ai.