Rama ka theksuar se Evropa duhet të adoptojë një politikë të përbashkët për të menaxhuar emigracionin dhe kufijtë, duke shmangur rivalitetet politike dhe ideologjike. Sipas tij, përpjekjet për të sfiduar emigrantët përmes retorikës ekstreme janë të rrezikshme dhe mund të dëmtojnë bashkimin europian.
Ai theksoi nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse, që do të përfshinte një menaxhim më të fortë të kufijve, por gjithashtu një hapje për emigracionin ligjor dhe bashkëpunim me vendet e origjinës për zgjidhjen e problemit.
“Evropës i duhet të luftojë emigracionin, por ka nevojë për gjithmonë e më shumë emigrantë. Si zgjidhet kjo? Nuk më takon mua të jap leksione apo të këshilloj askënd, por besoj që pikë së pari, kjo nuk është çështje në shërbim të gatimit politik të mishit, pra kush tregon më shumë muskuj kundër emigrantëve, kush është më i vendosur të sprapsë, kush është më i djathtë, kush është më i majtë, kush është më kështu dhe kush është më ashtu sepse kjo është gjëja më e rrezikshme që po i bëjmë vetes në Evropë, duke kthyer diçka që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve dhe menaxhimin e forcës së punës në një luftë kulturore dhe kjo mund ta shkatërrojë shpirtin e Europës.
Kështu që, për aq kohë sa nuk ka një politikë të përbashkët për këtë, përtej së majtës, përtej së djathtës, përtej interesave zgjedhore, përtej nevojës për të marrë më shumë vota dhe për të ndezur frikën në stomakun e njerëzve për t’i marrë këto vota, Evropa do të jetë në telashe.
Nëse Evropa e tejkalon këtë dhe do të bëjë diçka shumë më gjithëpërfshirëse, sigurisht, duke kontrolluar kufijtë shumë më me vendosmëri, por edhe duke u hapur ndaj emigracionit të ligjshëm, duke krijuar një mënyrë shumë ndryshe për t’u marrë me vendet e origjinës dhe kështu me radhë, atëherë do të jetë një fitore e madhe për Evropën dhe për brezat e ardhshme. Në të kundërt, nuk e di, do të jetë shumë e vështirë”, tha Rama nga Spanja.