Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, ka thënë se po vijon monitorimi për zgjedhjet në Kosovë.
“Aktualisht ndodhem në Prishtinë, ku isha edhe dje. Një ditë më parë isha në Mitrovicën e Veriut dhe sot do të udhëtoj në disa vende të tjera jashtë Prishtinës për të parë nga afër situatën. Qëllimi ynë është të vlerësojmë nëse qendrat e votimit u hapën në kohë, nëse të gjitha materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Në këtë fazë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Një vlerësim i plotë do të jepet në konferencën tonë për shtyp ditën e martë”., ka thënë ajo.
Loiseau ka thënë se në terren ndodhen 104 vëzhgues në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur procesin zgjedhor në Kosovë.
“Me 104 vëzhgues të BE-së në terren, ne jemi të përkushtuar të monitorojmë nga afër procesin zgjedhor. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, ka thënë ajo.