Kaos në RTSH. Pak ditë pasi dëgjoi kryetarin dhe anëtarët, Komisioni i Medias kërkon shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së për parregullsitë e gjetura në procesin e dështuar të garës dhe përzgjedhjes së drejtorit të ri të televizionit publik. Komisioni konstatuan shkelje të rënda, që nga mosdijenia e kompetencave nga anëtarët e Këshillit, te procedurat, kontratat dhe deri konflikti i interesit.
Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa e bëri deklaratën në emër të Kryesisë së Kuvendit, teksa theksoi se nuk janë zbatuar në vite rekomandimet e Kuvendit. Sipas saj, anëtarët e Këshillit drejtues të RTSH ishin të painformuar, por nuk i shpëton mosdija nga shkelja e ligjit.
“Nuk dinin kompetencat e detyrave të tyre, madje kërkuan t’ia bënim ne statutin (pra Kuvendi)) Ka konflikt interesi (kemi shkresa zyrtare që e konfirmojnë). Pas dëgjesës në komision 2 anëtarë dhanë dorëheqjen, Genci Përmeti, Gëzim Podgorica (do vazhdojmë me procedurat e zëvendësimit)”, tha Zhupa mes të tjerash.
Gjithashtu u theksua se kanë përfituar personalisht ose familjarë nga fondet e RTSH me kontrata dhe projekte të ndryshme, ose kanë të punësuar familjarë. Një tjetër konstatim nga anëtarët e Komisionit të Medias ishte se në RTSH ka munguar edhe transparenca e shpenzimeve (nuk janë publikuar raporte).
“Kryesia vlerëson se Këshilli është në shkelje të ligjit, cenon integritet imazh të RTSH dhe ndodhen në kushtet e shpërdorimit të detyrës, neni 115 i Kuvendit. Ju ftojmë të vëmë në lëvizje këtë nen për shkarkimin e anëtarëve – të miratojmë këtë raport për të vazhduar hapin e procedurës dhe për t’iu drejtuar kryetares së Kuvendit për të shkarkuar 9 anëtarët e këshillit, duke qenë se 2 të tjerët dhanë dorëheqjen”, tha Zhupa.